Kthimi në shkollë sikur s’ka ndodhur asgjë! 5 risqet më të mëdha me hapjen e shkollave në shtator!

Views: 34

Vendimi për hapjen e shkollave në shtator, i bërë me dije pak më parë nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, u duk si një zgjidhje për të gjithë konfuzionin e krijuar në prag të nisjes së vitit akademik. Hapja e shkollave do të zëvendësojë shumë mangësi nga mësimi online i karantinës, që zhgënjeu shumë prindër, nxënës  e studentë.

Por në kushtet kur vjeshta pritet të sjellë një valë tjetër të infeksionit COVID-19, a jemi gati ne të hapim shkollat? Ndonëse optimizmi për hapjen e shkollave mund të mbështetet në ato pak statistika që tregojnë se fëmijët nuk janë në risk të madh ndaj virusit, harrojmë që hapja e shkollave mund të rrezikojë mijëra mësues, kuzhinierë, pastrues, nxënës dhe familjet e tyre bashkë me gjyshërit e moshuar që janë grupmosha më e prekur nga virusi.

Fëmijët e parashkollorit, kanë më pak të ngjarë të përhapin virusin, por ata të moshave 10 vjeç e lart, kanë po aq të ngjarë sa të rriturit ta transmetojnë atë, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Koreja e Jugut.  Në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër veçse të analizojmë risqet që na presin përballë këtij vendimi dhe problemet më të mëdha që do të hasim:

1.A kemi kapacitete për të siguruar shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve?

Ministrja Besa Shahini mori si shembull nisjen e shkollave në Gjermani dhe Francë për të hapur shkollat në Shqipëri, por a mund të krahasohet Shqipëria me Gjermaninë, aty ku politika e gjurmimit dhe hetimit të rasteve me virus, është shumë herë më strikte!  Një shkollë në Gjermani u ofronte teste falas studentëve dhe mësuesve dy herë në javë që ata t’i realizojnë vetë në shtëpi. Edhe Luksemburgu testoi rreth 6 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe dy mijë mësues para se klasa të fillonte në maj.

Së dyti, sado strikt që të jetë protokolli, i cili ende nuk është bërë i ditur nga Ministria e Arsimit, është e pamundur që nxënësit të distancohen, kur shkolla është krijuar mbi bazën e një mjedisi shoqëror. A mund ta kesh nën kontroll një fëmijë për 5 orë minimumi, dhe të sigurohesh se nuk po i thyen rregullat duke u afruar me shokët, apo po e mban maskën mbi hundë siç duhet? Edhe nëse do të mund ta mbaje nën kontroll, kush do ta kryejë rolin e këtij “rregullatori” në shkollë?

2.Zbatimi i protokollit nuk po funskionon as në plazhe e institucione të tjera shtetërore

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social.

Por rastet kanë treguar të kundërtën pasi shkelja e protokolleve të sigurisë në plazhe apo edhe në institucione shtetërore, ka rezultuar me krijimin e vatrave të reja të virusit apo mbyllje të këtyre institucioneve! Bashki, çerdhe,

maternitete, gjykata janë mbyllur pas rasteve me COVID-19 që janë paraqitur, duke treguar kështu se në shkolla do të jetë akoma më e vështirë garantimi i masave dhe zbatimi i protokollit

3.A ka staf dhe ambiente mësimore pas përgjysmimit të klasave?

Në një kohë që mjaft shkolla janë dëmtuar nga tërmeti dhe numri i nxënësve duhet përgjysmuar në klasë, pyetja që na lind është: Si do të zhvillohet mësimi dhe a ka staf mjaftueshëm për ta përballuar mësimin me dy turne? Në Tiranë, Durrës, Vorë numri i nxënësve në klasë i kalonte shifrat e 38-40 nxënës. Si do të operojë Ministria e Arsimit me nxënësit e shkollave që nuk janë të gatshme për t’u hapur?

Shkollat mund të zvogëlojnë rrezikun që infeksionet të përhapen duke u përqëndruar në tre kategori kryesore ku institucionet tona kanë mangësi: Ajrosjen e vazhdueshme (që kërkon hapjen e dirtareve në një kohë që po afron dimri), rikonfigurimin e brendshëm të ndërtesës, (që lë për të dëshiruar pasi shumica e strukturave të shkollave tona i kanë korridoret pa dritare), dhe distancimi social (që kërkon përgjysmim të klasave dhe staf shtesë).

4.Më mirë ta parandalosh që tani, sesa të vuash pasojat!

Sado që na duhet të pranojmë se mësimi në shkollë është shumë më efektiv se ai online, çfarë do të ndodhë nëse një person nga stafi i shkollës rezulton i infektuar? Ministrja e Arsimit u shpreh se nxënësit do t’i rikthehen mësimit online në rast se do të mbyllet një ose më shumë shkolla. Mbyllja e shkollës do të vijë në rastet kur një nga anëtarët e stafit, ose fëmijë të jetë infektuar me COVID-19. Por a mund ta marrim përsipër një risk të tillë?

Të njëjtin veprim ndërmori edhe qeveria e Izraelit, ku rihapja e shpejtë e shkollës çoi në një kolaps në të gjithë vendin. Një shkollë pati 154 nxënës dhe 26 anëtarë të stafit pozitivë me koronavirus, pa marrë parasysh familjet e tyre. Një muaj pas rihapjes, gati gjysma e infeksioneve të reja të vendit mendohej se kishin origjinën nga shkollat.

5.Nuk duhet ta shohim mësimin online si mundësia e fundit!

Në vend të riskut që mund të parashikojë me hapjen e shkollave, qeveria duhet të investojë për të siguruar që të gjithë nxënësit që të kenë qasjen që meritojnë në arsimin. Mësimi online në kushtet e karantinimit, tregoi se ishte një dështim total, dhe madje prindërit bashkë me nxënësit ishin të pakënaqur.

Qeveria duhet të jetë e gatshme që të përgatitë programe të mësimit online, të investojë dhe eksplorojë çdo rrugë dhe të shterojë çdo mundësi, në mënyrë që të mirëmbajë standardet arsimore – pa rrezikuar mijëra jetë.

Zgjedhja aktuale e kthimit në shkollë “sikur asgjë nuk po ndodh” është e nxituar në kushtet që jemi!

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *