Administrata më e privilegjuara! Ja sektorët ku shqiptarët punojnë me orare të zgjatura

Views: 26

Administrata publike e zbaton më së shumti kodin e punës ndërsa punonjësit e tregtisë, fabrikave dhe ndërtimit janë ata të cilët punojnë me orare më të zgjatura.

Sipas INSTAT, këta punonjës harxhuan në punë përkatësisht 46.6, 46.5 dhe 42.9 orë në javë më 2019, ndërkohë që kodi i punës përcakton 40 orë punë në javë. Ndërkohë, orët mesatare javore të punës në shtet ishin 40.2 në 2019-n, më të ulëtat nga të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë.

Punonjësit e bujqësisë punuan 37.2 orë pune në javë  më 2019, më pak se përcaktimet në kodin  e punës. Por në këtë sektor puna është sezonale dhe kohën e mbjelljeve dhe vjeljeve bujqit punojnë me orë të zgjatura.

Punonjësit e shtetit janë më të privilegjuar edhe për ditët e pushimit zyrtar, ndërsa një pjesë e sektorit privat punon edhe në ditët e festave, apo dhe gjatë fundjavës.

Burrat punojnë më gjatë se gratë. Meshkujt punojnë 43 orë në javë, ndërsa femrat 39.7, por, kur bëhet fjalë për të punësuarit me pagë, femrat punojnë mesatarisht 42 orë në javë.

Aktiviteti ku gratë punojnë me orë më të zgjatura është prodhimi, me rreth 46 orë.

“Nëse krahasohen të dhënat e Eurostat dhe INSTAT rezulton se Shqipëria është ndër vendet ku punohet më gjatë në Europë, me rreth 42-43 orë në javë. Në fakt i gjithë Ballkani punon më gjatë. Rekordin e mban Mali i Zi, me 44.4 orë në javë, Maqedonia (41.3), Serbia (42.3). Më shumë nga të gjithë punojnë turqit, me 46.4 orë”, raporton Monitor.

Vendet e Bashkimit Europian punojnë mesatarisht më pak se 40 orë në javë.

Më pak në Europë punojnë holandezët, me 29.3 orë në vit.

Rekordin në Europë e mbajnë turqit, me mbi 46 orë në javë.

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *