Maska në shkollë është e detyrueshme, por a s’duhet të jetë falas?!

Views: 44

Mbajtja e maskës është e detyrueshme për të gjithë nxënësit në shkollat e vendit.

Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Besa Shahini e cila ka njopftuar përmes një postimi në Facebook, se maska në shkolla është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Ministrja e shoqëron shkrimin me një video që tregon nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë duke përdorur maskën në ambientet e brendshme të shkollës.

“Mbajtja e maskës është e detyrueshme, sepse kjo është e vetmja mënyrë se si ne të mbrojmë veten dhe të tjerët. Gjithsesi, këtë më mirë e sqarojnë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë nëpërmjet kësaj videoje”, shprehet ministrja.

Por meqenëse ministria po i dërgon fëmijët në shkollë në mes pandemie, e në mëshirë të virusit, a nuk duhet t’ua sigurojë vetë maskat fëmijëve, ashtu siç kanë bërë
fqinjët, Italia dhe Greqia në prag të fillimit të vitit të ri shkollor?

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm grek, Takis Theodorikakos zbuloi se qeveria do të mbulojë nevojat për maska të të gjithë nxënësve dhe mësuesve përmes autoriteteve lokale, në kontekstin e masave të reja për koronavirusin dhe hapjen e shkollave. Edhe Italia siguroi 11 milionë maska falas çdo ditë për të gjitha shkollat .

Por a mund t’ia lëmë në dorë mbrojtjen e fëmijëve vetëm maskës dhe distancës?

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nxënësit duhet të jenë të gjithë të pajisur me maska me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjienën e hundëve. Ata gjithashtu duhet të ruajnë distancën prej 1,5 metrash.

Sa mund t’i mbrojë fëmijët një maskë që do të preket shumë herë nga duart e fëmijëve të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me papastërtitë.

Deri më tani nuk është akorduar një fond për buxhetin e arsimit, ndërkohë që shkolla nis në pak javë. Në udhëzimin e ri të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se personi përgjegjë si stafit të shkollës, i caktuar nga drejtori, duhet të kryej vlerësimin për çdo nxënës si më poshtë vijon:

➢Matje të temperaturës me termometër dixhital;

➢Sprucim me alkool 60% ose dezifektantë të tjerë në duar;

Gjithashtu në udhëzim shkruhet shprehimisht kështu: Sipas mundësive mund të vendosen vaska më solucion dezinfektues me bazë të klorit aktiv, për dezinfektimin e shuajve të këpucëve përpara hyrjes në ambientet e brendshme të shkollës.

A ia kemi lënë “mundësive”, në dorë sigurimin e këtyre dezinfektantëve? Pra kush do i financojë këto vaska dhe dezinfektantë?

Ditën e djeshme rinisi viti shkollor për 4500 nxënës që nuk kanë pasur mundësi që ta ndjekin mësimin online gjatë periudhës së izolimit prej pandemisë së koronavirusit. Menaxhimi i këtyre nxënësve në 300 klasa ka qenë i lehtë për shkak të fluksit të ulët, ndërkohë që me rikthimin e të gjithë nxënësve në shkollë, ruajtja e distancës do të jetë tepër e vështirë.

Comments: 0

Your email address will not be published. Required fields are marked with *